RËNDËSIA E GJUHËS GREKE NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË SAJ

Jordan Jorgji
Ndonëse me disa ditë vonesë, ky shkrim i kushtohet Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke, e shpallur nga UNESCO dhe e përkujtuar çdo 9 shkurt.
Sivjet, kjo ditë u shënua në shumë vende nga përfaqësitë diplomatike greke, por edhe nga institucione arsimore për të cilat greqishtja nuk është thjesht një gjuhë komunikimi, por një urë që lidh gjuhën me identitetin dhe kujtesën kulturore.
Një realitet i tillë vërehet edhe në Shqipëri, vend fqinj me Greqinë, ku gjuha greke ka bashkëvepruar me shqipen prej shekujsh. Ajo flitet gjithashtu nga minoriteti grek në Shqipëri, i cili ka kontribuar në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit dhe bashkëjeton në harmoni me shumicën shqiptare.
Nuk jam specialist i gjuhësisë apo filolog. Megjithatë, nga pozicioni i pedagogut të studimeve politike dhe si dikush që ka studiuar në Athinë, dëshiroj të theksoj rëndësinë e gjuhës greke në dimensionin e saj kulturor dhe identitar.
Kontributi i parë i gjuhës greke qëndron në pasurimin e leksikut të shumë gjuhëve të tjera, veçanërisht në fushën e shkencës. Ende sot përdoren gjerësisht terma si patolog, kardiolog, pneumolog, biolog dhe shumë të tjerë, të cilët dëshmojnë për ndikimin e thellë të greqishtes në terminologjinë shkencore ndërkombëtare.
Megjithatë, kontributi i greqishtes nuk kufizohet vetëm në huazimin e fjalëve. Këto terma u bënë mjet për artikulimin dhe zhvillimin e dijes shkencore, veçanërisht në fusha si mjekësia dhe biologjia. Pra, gjuha nuk dha vetëm emërtime, por ofroi strukturë konceptuale për të kuptuar dhe organizuar realitetin shkencor.
Edhe në shqip përdorim çdo ditë fjalë me origjinë greke, pa e vënë re prejardhjen e tyre. Kur përmendim një “kardiolog”, nuk mendojmë për gjuhën, por për problemin apo dijen që ajo fjalë përfaqëson.
Kontributi i dytë i gjuhës greke qëndron në mënyrën se si ajo formëson dhe fuqizon mendimin. Me fjalë të tjera, gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe strukturë përmes së cilës ndërtohen dhe shprehen idetë. Fjalët nuk janë thjesht etiketa ku përmblidhet një kuptim i caktuar. Brenda tyre qëndron një mënyrë e të menduarit. Kur i përdorim, ne nuk shqiptojmë vetëm një term, por aktivizojmë një strukturë të ndërtuar mendimi.
Të tilla janë konceptet si “politikë” dhe “demokraci”. Ato nuk mbeten thjesht terma, por përfaqësojnë mënyra të të menduarit, imagjinatës dhe abstragimit, mbi fenomene si pushteti dhe liria. Përmes tyre, realiteti shoqëror nuk përshkruhet vetëm, por organizohet dhe interpretohet.
Në këtë mënyrë, shoqëria nuk është vetëm një realitet i dhënë, por edhe një ndërtim konceptual dhe emocional. Përmes gjuhës, ajo imagjinohet, strukturohet dhe shndërrohet në veprim shoqëror.
Kontributi i tretë qëndron në faktin se gjuha greke ndikoi thellësisht gjuhë dhe qytetërime të tjera të rëndësishme. Ajo ushqeu terminologjikisht latinishten dhe, përmes saj, një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, ndërsa në Perandorinë Bizantine u bë bartëse kryesore e administratës, teologjisë dhe kulturës. Përmes këtyre ndërmjetësimeve, greqishtja u përhap në hapësira të gjera gjeografike dhe ndikoi në formësimin e traditave intelektuale në kontinente të ndryshme.
Kontributi i katërt lidhet me rolin ndërmjetësues të gjuhës greke në përhapjen e ideve të Iluminizmit në Ballkan. Në shekujt XVIII dhe XIX, greqishtja shërbeu si kanal përmes të cilit koncepte si liria dhe toleranca, u bënë të aksesueshme për elitat arsimore të rajonit.
Një nga këto ide qendrore ishte toleranca fetare, e artikuluar në mendimin iluminist francez dhe e përkthyer në greqisht nga eruditi Eugenios Voulgaris. Përmes përkthimeve dhe veprimtarisë së tij arsimore, këto koncepte u përhapën më tej në hapësirën ballkanike. Kujtojmë se Theodhor Kavalioti mori mësimet e para nga Voulgari, përpara se të shërbente si mësues në “Akademinë e Re” të Voskopojës dhe më pas si kryeprift në atë rajon.
Gjuha greke u bë pjesë e qëndrueshme e kurrikulave të institucioneve arsimore të njohura, ku, si rezultat, ndikoi në formësimin e njerëzve që më vonë do të luanin rol qendror në historinë e rajonit. Në këtë kuadër, vlen të përmendet se një pjesë e figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare studiuan në Gjimnazin Zosimea të Janinës.
Kontributi i pestë lidhet me ndikimin e gjuhës greke në formësimin e identitetit evropian, si në planin historik ashtu edhe në atë institucional. Vetë fjala “Evropë” e ka prejardhjen në mitologjinë dhe gjuhën greke. Një pjesë themelore e traditës intelektuale evropiane u artikulua fillimisht në gjuhën greke, përmes koncepteve si demokracia, ekonomia, filozofia dhe strategjia.
Në këtë kuptim, greqishtja nuk është vetëm një mjet komunikimi dhe shprehjeje mendimi, por një faktor që ka ndikuar në ndërtimin kulturor dhe politik të identiteteve evropiane.
Së fundi, gjuha greke, si çdo gjuhë tjetër, përballet sot me sfidën e epokës së Inteligjencës Artificiale. Në një kohë kur teknologjia është në gjendje të analizojë dhe përpunojë fjalë me shpejtësi të jashtëzakonshme, mbetet e hapur pyetja nëse ajo mund të kapë thellësinë e mendimit, kontekstin kulturor dhe abstragimin njerëzor.
Për këtë arsye, përkujtimi i kësaj dite përbën një hapësirë reflektimi dhe dialogu mbi sfidat që lidhen me të ardhmen e gjuhëve në një botë gjithnjë e më të teknologjizuar. Janë sfida që prekin jo vetëm fjalët, por mënyrën si mendojmë, si ndërtojmë identitete dhe si ruajmë trashëgimitë tona kulturore.
Nga fjala e mbajtur në Kolegjin “Platon” të Korçës më 9 shkurt 2026, në ceremoninë e organizuar nga drejtoria e shkollës në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Greqisë në Korçë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke.