Jordan Jorgji
Qëndrimi im disa-ditor në qytetin magjik të Veliko Tarnovo-s në Bullgari më nxiti që leksionin e hapur rreth politikave shqiptare të arsimit, të cilin e zhvillova në Universitetin “St. Cyril and St. Methodius” të këtij qyteti, t’a lidhja me kulturën e drejtimit të makinës. Kudo ku kishte vija të bardha, shoferët e ndalonin makinën dhe u jepnin përparësi këmbësorëve.
Edhe pse një sjellje e tillë është e parashikueshme në kodet rrugore të shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë, ku thuhet se përparësia i jepet këmbësorit kur ky i fundit ka filluar kalimin (neni 189, paragrafi 2), personalisht më bëri përshtypje vëmendja e shoferëve përpara çdo vendkalimi për këmbësorë. Duke e lidhur me leksionin tim mbi arsimin, mendoj se sjellja e shoferëve nuk ishte thjesht respektim i një norme ligjore, por diçka më tepër: shprehje e edukatës dhe ndërgjegjes qytetare në lidhje me drejtimin e makinës dhe rregullat e qarkullimit.
Edukatë apo normë ligjore?
Teksa po shkruaj këto rreshta po mendoj me dhimbje rreth tragjedisë rrugore që ndodhi pak ditë më parë në Shqipëri, kur një shofer vrau me makinën e tij dy të mitur, dhe ngre pyetjen nëse duhet mbajtur shoferi i vetmi përgjegjës apo, së bashku me të, edhe mungesa e edukatës së autorit të aksidentit për sa i përket drejtimit të mjetit? Kjo pyetje më vjen për shkak të reagimit ndëshkues të opinionit publik ndaj shoferit përgjegjës, ndonëse shumë pak diskutohet nëse vrasësi është makina apo shoferi në makinë?
Filozofi i madh i Antikitetit, Sokrati, pyeste nëse njeriu do t’a shkelte ligjin po të mos shihej nga askush, duke dashur të theksojë se respektimi i ligjit nuk lidhet vetëm me frikën ndaj dënimit, por mei të gjitha me ndërgjegjen morale të individit. Edhe filozofi bashkëkohor Cornelius Castoriadis e shihte procesin e formulimit dhe të miratimit të ligjeve në kontekstin e respektimit të tyre. Pra, ne jemi ata që biem dakord me ligjvënien, vetëm nëse, paralelisht me këtë dakordësi, angazhohemi për të mbrojtur ligjet nga shkeljet, duke i zbatuar ne të parët.
Kjo vlen edhe në ditët e sotme, përfshirë edhe kodin rrugor. Pra, kodi rrugor nuk është vetëm një tekst ligjor që përpiqemi të mos e shkelim sepse në të kundërt marrim gjoba dhe penalitete të tjera, por duhet të jetë mbi të gjitha edukatë dhe ndërgjegjje. Natyrisht që kjo nuk e zgjidh plotësisht problemin, sidomos në rastet e degradimit të hapësirave publike dhe infrastrukturës rrugore.
Korrupsioni si kundër-edukatë
Nëse përpiqemi të gjejmë përgjegjësinë për tragjedinë rrugore në Durrës, kuptojmë se ajo nuk mund të reduktohet vetëm tek autori i aksidentit. Përgjegjësitë janë më të gjera dhe lidhen me një sërë faktorësh: zvogëlimin e hapësirave publike dhe betonizimin e qyteteve, neglizhimet në procesin e dhënies së patentave të drejtimit të mjeteve dhe rinovimin e lejeve të këtyre të fundit, modelet agresive të sjelljes të promovuara nga media, diskursin publik agresiv, kulturën e pandëshkueshmërisë dhe mbi të gjitha krizën e edukimit demokratik.
Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është thjesht një deformim i edukatës qytetare apo i vlerave që përcillen përmes arsimit. Ai shkon edhe më tej, duke u kthyer vetë në një mekanizëm që prodhon dhe riprodhon norma shoqërore. Nuk është e rastësishme që Montesquieu paralajmëronte se ‘rinia nuk mund të degjenerojë nga vlerat deri në momentin kur të rriturit zhyten në korrupsion’.
Në këtë prizëm, korrupsioni nuk lidhet vetëm me pushtetarët apo me institucionet shtetërore. Ai shndërrohet në një institucion shoqëror më vete, i aftë për të prodhuar norma, sjellje dhe mënyra të të menduarit.
Mjedisi si edukatë publike
Diçka tjetër që më tërhoqi vëmendjen në Veliko Tarnovo ishte natyra unike e qytetit, me pyjet e dendura, të cilat i japin qytetit gjelbërim, dhe ndërtesat e bardha të vjetra, që shoqërojnë kështjellën mesjetare. Me fjalë të tjera, mjedisi i paprekur është garancia më e fortë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Këto të dyja së bashku prodhojnë kulturë qytetare, e cila në etikën publike qëndron përballë rreziqeve të korrupsionit dhe presioneve të komercializmit. Kështu, ruajtja e hapësirave të panumërta të gjelbra dhe parqeve në qytet nuk është vetëm hapësira ku mund të luajnë fëmijët dhe të pushojnë të rriturit, por kthehet në mjedis të sigurt për një mënyrë më njerëzore jetese.
Si të tilla ato marrin kuptim politik, sepse e bëjnë bioetikën busullën orientuese të vlerave socializuese. Pra, mjedisi është një shkollë që edukon, dhe si e tillë e mbron shoqërinë nga korrupsioni.
Demokracia si edukatë
Leksioni u përqendrua në reformat arsimore në Shqipëri, duke dashur kështu të përcillja një reflektim që mund të shërbejë për krahasime të mundshme në vendet e Ballkanit. Por nuk mund të mos më vinte në mendje Castoriadis-i, i cili e shihte edukimin si një proces dinamik dhe reflektiv, të shtrirë në kohë dhe në hapësirë. Ai thoshte se nëse edukimi mbyllet brenda mureve të institucioneve arsimore, atëherë ajo shoqëri ka dështuar. Përkundrazi, muret kanë zë në shoqëri sepse edukojnë anëtarët e saj në mënyrë të vazhdueshme.
Demokracia si edukatë nuk është vetëm një proces shkollimi në sistemin arsimor, por edhe ndërtim i ndërgjegjes qytetare përmes kanaleve të ndryshme, si edukata individuale, hapësirat publike, ruajtja e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore apo solidariteti me më të dobëtin. Qytetari që ndalon makinën para vijave të bardha e përdor automjetin si mjet qarkullimi dhe jo si instrument dominimi. Në të kundërt, ky mjet qarkullimi kthehet në armë, e cila nuk shkrepet vetë, por nga ai që e keqpërdor atë.
Në këtë prizëm, përgjegjësia e ngjarjes tragjike ku humbën jetën dy të mitur, nuk lidhet vetëm me problemet dhe sfidat e sistemit arsimor, por bie në institucionet e shoqërisë në tërësi, të cilat përcjellin tek anëtarët e shoqërisë vlera të kundërta me ato të një kohezioni. Jo më kot sociologu i madh Émile Durkheim e lidhte anominë me krizën e rendit moral dhe dobësimin e institucioneve, të cilat, që të kthehen përsëri në normalitet duhet të reformohen më përgjegjësi.
Veliko Tarnovo, Bullgari, 7 maj 2026