NGA ‘ZEMËRIMI EPIK’ TE DOBËSIMI I RENDIT LIBERAL 

Jordan Jorgji

Lufta në Iran sapo ka hyrë në javën e saj të tretë, ndonëse presidenti amerikan, Donald Trump, kishte parashikuar se operacioni special “Epic Fury” (Zemërimi epik) do të zgjaste vetëm pak ditë. Sipas këtyre pritshmërive, ai mund të kishte përfunduar përpara datës 20 mars 2026, që përkon me vitin e ri persian, të njohur si festa e Nevruzit (Nowruz).

Tashmë që kjo festë ka kaluar, ka gjasa që konflikti të zgjasë më shumë. Një arsye mund të jetë dobësimi i narrativës se ndërhyrja ushtarake amerikano-izraelite do t’u sillte qytetarëve iranianë rrëzimin e regjimit teokratik. Në çdo rast, askush nuk mund të përcaktojë me siguri kohëzgjatjen e luftës, të paktën duke u mbështetur në informacionin publik dhe analizat që ndërtohen mbi të.

Simbolika e përkimit të konfliktit me festa të rëndësishme fetare dhe kulturore – Nevruzin për botën persiane dhe Bajramin e Madh (Eid al-Fitr) për besimtarët myslimanë sunitë – është domethënëse. Këto festa u shënuan në një klimë pasigurie dhe dhune, në një rajon po aq kompleks sa vetë historia e qytetërimit. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një konflikt fetar, por për një përplasje me pasoja të thella politike dhe ndërkombëtare.

Kjo luftë ngre një pyetje më të gjerë: çfarë do të thotë ajo për të ardhmen e demokracisë liberale?

Liberalizmi politik dhe demokracia liberale, me pak fjalë

Liberalizmi politik është binjak me liberalizmin ekonomik; së bashku ato përbëjnë themelin e demokracisë liberale. Tregu i lirë dhe integrimi ekonomik kanë bashkëjetuar, veçanërisht që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, me një rend ndërkombëtar të bazuar në ligje dhe norma. Ky rend u ndërtua kryesisht nga fuqitë e mëdha dhe të vogla brenda sistemit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij rendi, sidomos pas angazhimit të tyre global gjatë Luftës së Dytë Botërore në emër të lirisë dhe demokracisë. Pikërisht në këtë kontekst mori formë ajo që sot quajmë “bota perëndimore”.

Pse lufta në Iran është problematike për demokracinë liberale?

Lufta në Iran, e paraprirë nga ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë në fillim të këtij viti, mund të interpretohet si një goditje ndaj disa parimeve themelore të demokracisë liberale për të paktën tre arsye.

Së pari, ajo vë në pikëpyetje sovranitetin e shteteve. Raste të fundit, si rrëmbimi i një udhëheqësi shtetëror apo eliminimi i një lideri pa një proces të rregullt ndërkombëtar, sugjerojnë një anashkalim të mekanizmave të njohur të legjitimitetit ndërkombëtar. Këto veprime janë kryer jashtë kornizës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke dobësuar rolin e institucioneve që tradicionalisht kanë garantuar një minimum rregulli në sistemin ndërkombëtar.

Së dyti, zgjatja e konfliktit dhe kundërpërgjigjet e Teheranit ndaj objektivave ekonomike dhe energjetike po kontribuojnë në një pasiguri të theksuar ekonomike globale. Goditja e sektorit të energjisë dhe rritja e çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në një nga shtyllat e demokracisë liberale: liberalizmin ekonomik. Një krizë e mundshme financiare, veçanërisht në Evropë, do të thellonte më tej këtë dobësim, duke pasur parasysh edhe goditjet e mëparshme që kontinenti ka përjetuar gjatë dy dekadave të fundit (2009, 2020, 2022).

Së treti, konflikti po përforcon logjikën e gjeopolitikës dhe të sferave të influencës mes fuqive të mëdha, shpesh në kurriz të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është domosdoshmërisht një risi në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por në kushtet aktuale rrezikon të thellojë hendekun mes fuqisë dhe ligjit, duke dobësuar më tej besimin tek normat ndërkombëtare.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Edhe nëse politika aktuale amerikane ndryshon pas përfundimit të mandatit presidencial në vitin 2029, pasojat e kësaj lufte pritet të kenë ndikim afatgjatë në sigurinë dhe politikën e jashtme të shumë vendeve, përfshirë Shqipërinë.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten strategjike për Shqipërinë pas viteve ’90, ndërkohë që integrimi në Bashkimin Evropian është një tjetër prioritet themelor. Ky orientim e vendos vendin qartësisht në boshtin euro-atlantik.

Megjithatë, vetë ky bosht po përballet me sfida serioze. NATO po kalon një periudhë të vështirë, e shoqëruar me tensione të brendshme, ndërsa Bashkimi Evropian po përballet me dilema të thella mbi identitetin dhe rolin e tij në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme kanë kufizuar ndjeshëm ndikimin diplomatik të BE-së, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e projektit evropian.

Në këtë kontekst, shtrohet një pyetje thelbësore: si duhet t’i përkthejë Shqipëria këto zhvillime në politikën e saj të jashtme? A ekziston një debat i brendshëm mbi qëndrimin strategjik të vendit në një rend ndërkombëtar në transformim? Dhe, mbi të gjitha, si do të duket bota pas këtij konflikti dhe cili do të jetë pozicionimi i diplomacisë shqiptare në të?

Pogradec, 20 mars 2026