Jordan Jorgji
Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar në Forumin Ekonomik të Delphit një javë më parë (22 prill 2026) shërbeu për një takim të ngrohtë mes tij dhe homologut grek, Kyriakos Mitsotakis. Pas takimit, kryeministri shqiptar theksoi se shumë shpejt të dy vendet do të gjejnë rrugën për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Nga ana tjetër, pala greke u tregua më e përmbajtur në optimizëm – të paktën sipas raportimeve mediatike – dhe la të nënkuptohet se dy vendet mbeten ende larg një marrëveshjeje për paraqitjen e çështjes së delimitimit të shelfit kontinental në Gjykatën Ndërkombëtare. Çfarë nënkupton ky dallim në interpretim, kur një situatë e ngjashme është hasur edhe më parë?
Kthim në kohë
Situata e mësipërme mund të nënkuptojë një sërë zhvillimesh, të cilat nuk mund të analizohen me saktësi për sa kohë mungojnë dokumente zyrtare nga të dyja palët. Megjithatë, ajo që duket qartë është se dy vendet po ndjekin një trajektore ciklike që i kthen ato rreth një dhjetëvjeçari më parë.
Në vitet 2015–2018, ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati u angazhua në një diplomaci serioze dhe, deri diku, novatore për marrëdhëniet komplekse me Greqinë. Së bashku me homologët e tij grekë, fillimisht Evangelos Venizelos dhe më pas – dhe kryesisht – Nikos Kotzias, ai u përpoq të vendoste në një kornizë të vetme diskutimi dhe negociimi të gjitha çështjet dypalëshe.
Ndër to përfshihej edhe delimitimi i shelfit kontinental dhe i zonave të tjera detare, një çështje që u trajtua me kujdes të veçantë nga të dy komisionet shtetërore, por që në fund rezultoi të ishte pengesa kryesore që rrëzoi të gjithë ndërmarrjen diplomatike.
Në atë kohë, Greqia kishte marrë një kosto të konsiderueshme politike në raport me opinionin publik, pasi kishte zgjidhur çështjen disa-vjeçare të emrit me fqinjin e saj, Maqedoninë e Veriut, përmes Marrëveshjes së Prespës. Paralelisht, rikthimi në pushtet i një qeverie të djathtë në Athinë solli përpjekje për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2009, të nënshkruar nga e njëjta forcë politike me qeverinë Berisha, një opsion i papranueshëm për palën shqiptare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në 2010.
Ndërprerja e një procesi premtues
Nëse zhvillimet në palën greke ishin deri diku të kuptueshme, për arsyet e përmendura më sipër – ku vlen të theksohet edhe roli i faktorit shqiptar dhe i diplomacisë së Tiranës në arritjen e Marrëveshjes së Prespës – mbetet më pak e qartë arsyeja pse pala shqiptare u tërhoq nga linja e ndjekur gjatë drejtimit të Ditmir Bushatit.
Ky post u zëvendësua me një profil më të ulët diplomatik, duke sjellë një zbehje të intensitetit të angazhimit në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Me largimin e Bushatit, fokusi i politikës së jashtme shqiptare u zhvendos gradualisht drejt nismave rajonale në veri, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit me Serbinë dhe aksit të ashtuquajtur “Ballkani i Hapur”.
Dy ministra të tjerë të jashtëm që avancuan marrëdhëniet me Greqinë por u larguan nga detyra ishin Igli Hasani dhe Elisa Spiropali. Të dy zhvilluan vizita të suksesshme në Athinë, dhe nga ajo që deklaruan diplomatët grekë asokohe, dukej se kishin përparuar klimën e besimit dypalësh, të paktën për çështjen e marrëveshjes me të cilën të dy shtetet do të duhet t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare.
Një përpjekje me peshë të krahasueshme me dialogun Bushati–Kotzias u ndërmor nga vetë kryeministri Edi Rama në tetor 2020 në Tiranë, gjatë vizitës së ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias. Në atë rast u deklarua se të dy vendet do t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes detare, duke kaluar kështu nga negociatat dypalëshe në një proces juridik ndërkombëtar.
Nga negociatat te Gjykata Ndërkombëtare
Ndonëse u mendua se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare do të thjeshtonte procesin, në praktikë ai solli një ndërlikim të ri në marrëdhëniet shqiptaro-greke: nevojën për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët kompromisi midis dy shteteve. Kjo marrëveshje kërkon që palët të bien dakord paraprakisht mbi objektin e saktë të çështjes dhe pyetjet që do t’i parashtrohen gjykatës.
Në vetvete, ky është një proces edhe më i vështirë, pasi kërkon një nivel të lartë ekspertize në të drejtën ndërkombëtare të detit, por edhe një ndjeshmëri më të madhe ndaj kontekstit rajonal, veçanërisht ndaj rolit të Turqisë dhe implikimeve që mund të krijojë një precedent i tillë.
Me fjalë të tjera, mbetet e paqartë nëse ky proces do të kufizohet vetëm në përcaktimin e parametrave të marrëveshjes për t’iu drejtuar gjykatës, apo nëse palët do të rikthehen drejt një zgjidhjeje më të gjerë përmes diplomacisë dypalëshe. Në të dyja rastet është e qartë se marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkojnë sërish një partneritet të nivelit dhe besimit që karakterizoi dialogun “Bushati–Kotzias”, këtë herë në një kontekst më kompleks dhe me kohë të humbur.
Një partneritet i vështirë
Natyra komplekse e marrëdhënieve shqiptaro-greke e bën të vështirë ndërtimin e një partneriteti funksional, të aftë për të krijuar një klimë besimi dhe për të sfiduar dyshimin e rrënjosur ndër vite. Një qasje e tillë u arrit pjesërisht në fundin e viteve ’90, nga qeveritë socialiste të dy vendeve, kur marrëdhëniet personale mes Fatos Nanos dhe Kostas Simitis, si dhe mes ministrave të jashtëm Paskal Milo dhe Theodoros Pangalos, shënuan një përmirësim të dukshëm.
Një nivel i ngjashëm besimi u arrit edhe gjatë dialogut Bushati–Kotzias në periudhën 2016–2018, por i shoqëruar tashmë me hapa konkretë, siç ishin takimet dypalëshe në Kretë dhe në Korçë. Për herë të parë, ky proces arriti të kapërcejë jo vetëm barrën e së kaluarës, por të tejkalojë edhe ngjashmëritë që burojnë nga konjukturat politike dhe ideologjike.
Pikërisht një partneritet i tillë kërkohet edhe sot, ndonëse në një kontekst më të ndërlikuar dhe me kohë të humbur. Në mungesë të tij, marrëdhëniet shqiptaro-greke rrezikojnë të mbeten të bllokuara mes pasigurive juridike dhe hezitimit për vendime politike të guximshme.
Sofie, Bullgari, 2 maj 2026