Jordan Jorgji
Ashtu si çdo vit, edhe viti 2025 u karakterizua nga një sërë zhvillimesh ndërkombëtare, disa prej të cilave pritet të kenë ndikim edhe në vitet pasuese. Në vijim, do të ndalemi në disa prej tyre.
Trump president përsëri: një agjendë më e qartë
Gjatë vitit 2025 nisi mandati i dytë, jo në vazhdimësi, i presidentit amerikan Donald Trump, i cili këtë herë u tregua më i drejtpërdrejtë në zbatimin e platformës së tij “Make America Great Again” (“Ta bëjmë Amerikën përsëri të fuqishme”). Kjo platformë u shoqërua që në fillim me rritjen e tarifave tregtare dhe me shtrëngimin e politikave të imigracionit. Paralelisht, në riorientimin e politikës ekonomike, lidershipi i ri kufizoi fondet e USAID-it, me pasoja të ndjeshme për shoqërinë civile.
Në këtë kuadër, trekëndëshi “tarifa–antiimigracion–anti-LGBT” i dha retorikës dhe politikave të Trump-it nota të qarta konservatore, madje edhe radikale në raport me politikat e mëparshme, duke thelluar polarizimin e shoqërisë amerikane. Ky polarizim u dëshmua në mënyrë dramatike edhe nga vrasja e aktivistit konservator Charlie Kirk, tetë muaj pas inaugurimit të presidencës së dytë të Trump-it.
Përtej ndikimit të brendshëm, agjenda e qartë e Trump-it në mandatin e tij të dytë pritet të ndikojë edhe retorikën dhe orientimin politik të partive të djathta dhe populiste në shumë vende të tjera.
Një krizë në Karaibe
Ngjarja e dytë lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të fuqishme politike dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara ndaj disa vendeve, për të cilat në të kaluarën ishte ndjekur një linjë më e butë diplomatike. Kështu, ushtria amerikane ndërmori bombardime në Iran dhe Jemen, ndërsa në fund të vitit u shënuan edhe kërcënime ushtarake të presidentit Trump ndaj Venezuelës, duke e tensionuar ndjeshëm marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Karakasit.
Ndërkohë që në dy rastet e para ndërhyrja ushtarake e SHBA-së erdhi si rrjedhojë e konflikteve ekzistuese në Lindjen e Mesme dhe e partneritetit strategjik me Izraelin, situata me Venezuelën ngre pikëpyetje për një konflikt të mundshëm në rajonin e Karaibeve gjatë vitit 2026. Kjo pritet të ndikojë këndvështrimin e Uashingtonit mbi sigurinë globale, drejt një angazhimi më të drejtpërdrejtë politik dhe ushtarak atje ku perceptohen interesa parësore.
Në këtë kontekst, një ndërhyrje e mundshme ushtarake e SHBA-së në Venezuelë, apo edhe një presion politik i shtuar ndaj Groenlandës, do të përkthehej si një zhvendosje e fokusit të sigurisë nga NATO drejt hemisferës amerikane.
Ukraina dhe Gaza: konflikte në vazhdim
Ngjarja e tretë lidhet me vazhdimin e konflikteve të përgjakshme në Ukrainë dhe në Palestinë, të cilat kishin shpërthyer respektivisht tre dhe dy vite më parë. Edhe pse Donald Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do të mbyllte konfliktin në Ukrainë, kjo nuk u realizua, të paktën gjatë vitit 2025. Megjithatë, ai arriti të vendosë një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë me palën ruse dhe presidentin Vladimir Putin, diçka që lidershipi i Bashkimit Evropian dështoi ta bëjë.
Në këtë kontekst, “koalicioni i të gatshmëve” në Bashkimin Evropian e sheh një marrëveshje të mundshme mes Uashingtonit dhe Moskës jo vetëm si një anashkalim të Evropës, por edhe si një formë kapitullimi në fushën e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme. Megjithatë, kundërshtitë e brendshme brenda BE-së vazhdojnë të minojnë kohezionin evropian, veçanërisht në procesin e integrimit të politikës së jashtme. Kritikat e Budapestit ndaj menaxhimit të konfliktit të Ukrainës nga Brukseli tregojnë se kufiri BE–Rusi pritet të luajë një rol përcaktues në riformësimin e identitetit të Bashkimit Evropian gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, konflikti në Palestinë dhe paqja e brishtë që pasoi dakordësinë mes Izraelit dhe Hamasit në tetor të këtij viti, e diktuar nga ndërhyrja amerikane, tregojnë se politika globale është ndikuar gjithnjë e më shumë nga ajo që mund të përkufizohet si “realizëm transaksional”. Në këtë logjikë, dilema e vjetër mes moralit politik dhe përdorimit të fuqisë zgjidhet përmes negociatave mes aktorëve dominues, ose të paktën atyre që kontrollojnë realisht fushën e betejës.
Një botë multipolare
Prej kohësh, të paktën që nga viti 2008, kur Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, është vënë re se rendi unilateral i hegjemonisë amerikane — të cilin Francis Fukuyama e përkufizoi si “fundin e historisë” — po i lë gradualisht vendin një rendi multipolar. Ky rend i ri karakterizohet nga rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në skenën globale, si dhe nga shfaqja e superfuqive të tjera rajonale në kontinente të ndryshme.
Në këtë kontekst, Kina zgjodhi të demonstrojë fuqinë e saj përmes paradës së madhe ushtarake të shtatorit, pas së cilës shpalli se kontrollon rreth 60% të mineraleve të rralla në shkallë globale. Ky dominim ekonomik pritet të përdoret si instrument në konkurrencën gjeopolitike me SHBA-në, gjë që u reflektua edhe në përshkallëzimin e fërkimeve Uashington–Pekin lidhur me vendosjen e tarifave reciproke.
Ndërkohë, bipolariteti SHBA–Kinë po shtrihet edhe në sektorin e Inteligjencës Artificiale, ku po zhvillohet një garë intensive mes kompanive që mbështeten, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga të dyja superfuqitë. Në një botë të karakterizuar nga revolucioni i informacionit, kontrolli i këtij të fundit përbën një formë të re demonstrimi të fuqisë, veçanërisht kur ky informacion bëhet inteligjent.
Po Shqipëria?
Ngjarja dominuese për Shqipërinë gjatë vitit 2025 ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u fituan sërish në mënyrë bindëse nga Partia Socialiste. Krahas tyre, u shënuan edhe zhvillime të tjera të rëndësishme, si ndërrimi i kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale, hapja e të gjithë grup-kapitujve në procesin e integrimit evropian, veprimet e SPAK-ut kundër niveleve të larta të pushtetit politik, si dhe vazhdimi i fragmentarizimit të opozitës.
Duke qenë se politikat globale ndikojnë drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe të brendshme të shteteve më të vogla, Shqipëria dhe Ballkani përfaqësojnë hapësira ku efektet e zhvillimeve ndërkombëtare prodhojnë pasoja të shumëfishta. Në këtë kuptim, emergjenca e Bashkimit Evropian për të (ri)gjetur vetveten në kontekstin e konfliktit në Ukrainë favorizoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Paralelisht, opozita shqiptare u përpoq të riorientohej drejt një agjende konservatore të frymëzuar nga trampizmi, por retorika e Partisë Demokratike nuk arriti të zhbëjë statusin “non grata” të liderit të saj historik.
Kjo situatë dëshmon se sinjalet që vijnë nga politikat e superfuqive nuk përkthehen automatikisht në avantazhe politike për shtetet e vogla, por filtrohen përmes specifikave kombëtare dhe rajonale. Në mënyrë të ngjashme, Vetëvendosja dhe Albin Kurti arritën të fitojnë qartazi zgjedhjet e fundvitit 2025, pavarësisht kritikave publike nga zyrtari i lartë amerikan Richard Grenell.
Përfundim
Viti 2025 nuk la pas vetëm një numër ngjarjesh ndërkombëtare, por shënjoi disa ndryshime strukturore të rendit global. Polarizimi politik në shtetin më të fuqishëm të botës dhe ndryshimi i politikës së jashtme të tij, nga ndërthurja e realizmit me fuqinë e butë drejt një “realizmi transaksional”, përfshirë edhe dobësimi i mekanizmave multilateralë, dëshmojnë se bota po hyn në një fazë më të fragmentuar dhe më pak të parashikueshme. Në këtë kontekst, Evropa përballet me krizë identiteti dhe autonomie strategjike, ndërsa rivaliteti SHBA–Kinë i jep multipolaritetit një karakter konfliktual.
Për shtetet e vogla, si Shqipëria dhe vendet e Ballkanit, kjo trashëgimi nënkupton një mjedis ndërkombëtar më të ndërlikuar, ku sinjalet e superfuqive nuk përkthehen automatikisht në avantazhe politike, por filtrohen përmes specifikave të brendshme dhe rajonale.
Korçë, 29 dhjetor 2025
