A mund ta ringjallë Spanja BE-në pas të “Premtes së Zezë”?

Jordan Jorgji
Në qytet-shtetet greke të antikitetit lufta kishte rregulla. Gjatë lojërave olimpike ndalonin të gjitha konfliktet e armatosura për gati një muaj: 7 ditë përpara fillimit të lojërave olimpike dhe deri 7 ditë pas përfundimit të tyre. Kjo paqe-armëpushimi (olimpiaki ekeheria) përgjatë një muaji të shenjtë (ierominia) u njoh nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1992, rreth tre mijë vite më vonë, si një traditë e cila duhej të risillej në jetë.
Ku e gjen botën kjo “e premte e zezë”?
Por, në dallim nga paqja olimpike, festat e mëdha fetare këtë vit e gjetën botën të zhytur në luftëra të përgjakshme. Lufta e Ukrainës vazhdon për të katërtin vit radhazi, duke kaluar, paradoksalisht në kuptimin e kohëzgjatjes, katër vite dhe duke iu afruar kështu konflikteve të mëdha të shekullit XX. Sikur të mos mjaftonte kjo derdhje gjaku, lufta në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik po i kthen ato rajone në kufijtë e një katastrofe humanitare, si në Gaza ashtu dhe në Liban, ndërkohë që tabloja komplekse e Iranit po e çon botën në “buzë të greminës” (brinkmanship) të një konflikti bërthamor. Termi “brinkmanship” u përdor gjatë krizës kubane në vitin 1962, kur konflikti bërthamor pritej të ndodhte nga minuta në minutë.
Kështu e gjen botën kjo e premte e zezë, ditë në të cilën po shkruhet ky shkrim. Edhe pse Rusia dhe Ukraina vendosën një pauzë të brishtë gjatë Pashkës ortodokse, ndërsa një armëpushim akoma më i brishtë u arrit mes SHBA dhe Iranit me ndërmjetësimin e diplomacisë pakistaneze, situata në ato rajone mbetet tejet delikate, ku konflikti mund të shpërthejë sërish për shkak të “shkeljes së armëpushimit”.
Çfarë po ndodh me Bashkimin Evropian?
Politika e jashtme dhe e sigurisë së SHBA-së gjatë këtij një viti e gjysmë të mandatit të dytë të Donald Trump ka nxjerrë në sipërfaqe dobësitë strukturore të Bashkimit Evropian, të shprehura dukshëm nga kriza e lidershipit brenda BE-së.
Dobësitë strukturore lidhen me mungesën e integrimit politik dhe ushtarak në BE, ashtu dhe me krizën që po kalon demokracia liberale brenda Unionit, dhe akoma më gjerë, në botën e atij që njihet si “Perëndimi politik”.
Ideja e Bashkimit Evropian u ngjiz brenda djepit të gjeopolitikës Euro-Atlantike, ku ideologjitë liberale dhe socialdemokrate u bënë manteli kryesor i tij. Përgjatë dekadave të ardhshme gjeneratat e reja u mëkuan me ndërgjegjien se të qenit demokrat e liberal është diçka e mirë ndërsa e kundërta diçka negative dhe e rrezikshme. Pikërisht ky mantel u zbeh me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili vendosi në strategjinë zyrtare të vendit të tij objektivin e dobësimit të BE-së mbikombëtare dhe rikthimin e sovranitetit shteteve-kombe.
Për më shumë, BE-ja, e cila – me të drejtë – i binte këmbanës së alarmit sa herë shkelen të drejtat e njeriut ose zhvillohen procese të dyshimta elektorale, e ka të pamundur të shprehet me të njëjtin zë të lartë në momentin kur SHBA-ja e Trumpit e vendos gishtin e gjeopolitikës së vet si superfuqi hegjemone mbi Venezuelën, Iranin, Kubën dhe Grenlandën.
Kjo situatë bëhet akoma më e vështirë në një Union me 27 anëtarë të ndryshëm brenda saj, ku secili shtet ka specifikat e veta gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Kështu, Evropa e vjetër perëndimore gjendet përballë shteteve balltike dhe Polonisë, të cilat shohin si armik kryesor Rusinë e Putinit. Polifonia është edhe më zhurmuese për shkak se traktati i fundit i BE-së ishte ai i Lisbonës, i firmosur rreth 20 vite më parë dhe i ratifikuar në 2009. Është hera e dytë që një traktat i ri nuk është firmosur për gati dy dekada, pas Aktit Unik Europian (Single European Act 1986) që pasoi Traktatin e Shkrirjes (Bruksel 1965).
Zëri shpërthyes i Spanjës
Ndër zërat më të spikatur brenda BE-së që u diferencua publikisht nga politika amerikane ishte kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez. Ai nuk i lejoi avionët e SHBA-së të përdorin hapësirën ajrore të Spanjës gjatë bombardimit të Iranit dhe madje e quajti ndërmarrjen amerikane dhe atë izraelite si zjarrvënëse të botës, duke deklaruar konkretisht se “nuk ka ndërmend të duartrokasë ata që kanë ndezur zjarrin e botës vetëm sepse shfaqen me një kovë ujë.”
Kjo posturë i shtoi mbështetje kryeministrit spanjoll në politikën e brendshme, kryesisht tek zërat anti-luftë, ndërkohë që politika e tij diametralisht e kundërt me Trumpit u ilustrua edhe me legjitimimin e imigrantëve që Spanja ndërmori në vendin e vet. Kujtojmë se kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në verën e vitit 2025 se Gjermania do të shkurtonte shtetin social për t’i lënë vend investimeve në sektorin ushtarak.
Bashkimi Evropian drejt një identiteti të ri?
Ngjitja liberale dhe Euro-Atlantike e Bashkimit Evropian formësoi një identitet unik në BE, i cili lindi dhe u kultivua brenda një konteksti të caktuar gjeopolitik. Ky identitet u shpalos maksimalisht gjatë fillimit të konfliktit në Ukrainë (2022), ku lidershipi i ri bllokoi diplomacinë dhe afirmoi vetveten përballë rrezikut rus.
Vetëm 4 vite më vonë identiteti i BE-së pësoi krisjen e parë dhe të madhe me aleatin e tij, SHBA-në, duke hapur kështu pyetje dhe dilema të një krize të mundshme identiteti. Nëse në fillimin e viteve 1990, përfaqësuesi i realizmit difensiv, Kenneth Waltz, provokoi debatin rreth një shpërbërje të mundshme të NATO-s si rrjedhojë e konjukturave të reja ndërkombëtare dhe gjeopolitike, presidenti Donald Trump e risolli këtë debat në fushën e zbatimit të politikës së jashtme dhe veprimeve ushtarake.
Spanja ishte ndër vendet-anëtare të Bashkimit Evropian që iu përgjigj Uashingtonit ‘dhëmbë për dhëmbë’, duke mbrojtur parimin mbi të cilin u ndërtua vetë BE-ja: mbrojtja e ligjit ndërkombëtar dhe e të drejtave të njeriut nëpërmjet diplomacisë multilaterale. Pyetja që lind është nëse zëri i Spanjës, si një prej 27 anëtarëve të BE-së, do të mund të ndikojë që Bashkimi Evropian të rivizionojë identitetin e tij ekzistencial në raport me konjukturat e reja gjeopolitike?
Pogradec, 10 prill 2026