ANALIZË E LIBRIT “GRAZZI SHKRUAN MBI SULMIN ITALIAN KUNDËR GREQISË” (2008)

Jordan Jorgji

Hyrje

Drejtoria e Arkivit Historik dhe Diplomatik pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë publikoi në vitin 2008 librin me titull Grazzi shkruan mbi sulmin italian kundër Greqisë, prezantimi i të cilit u mbajt më 20 nëntor 2008, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke. Boshti kryesor i librit përqendrohet te marrëdhëniet greko-italiane gjatë viteve 1939–1940, pra në periudhën që i parapriu sulmit italian kundër Greqisë. Marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Italisë ndikoheshin edhe nga faktorë të tjerë, si interesat gjeopolitike, sistemi ndërkombëtar dhe psikologjia e protagonistëve, të cilëve u referohen ngjarjet kryesore të trajtuara në libër. Autori përqendrohet te keqorganizimi i politikës së jashtme italiane, kryesisht në lidhje me informimin e gabuar dhe të nxituar të qendrës vendimmarrëse në Romë dhe, rrjedhimisht, me vendimet e gabuara dhe shkatërruese për interesat kombëtare, të ndërmarra nga udhëheqja fashiste. Nënvlerësimi i rolit të përfaqësisë diplomatike italiane në Greqi, si burim i një gjykimi racional dhe afatgjatë, dhe mbivlerësimi i rolit të qendrës ushtarake të drejtuesve italianë në Shqipërinë e pushtuar, si burim i një qasjeje emocionale të ndërthurur me interesa karrieriste, do të ndikonin në vazhdimin e politikës agresive që karakterizonte regjimin fashist italian. Kjo analizë e trajton librin Grazzi shkruan mbi sulmin italian kundër Greqisë kryesisht nga këndvështrimi i ngjarjeve që lidhen me Shqipërinë, pa anashkaluar kuadrin e përgjithshëm të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Italisë.

 

Marrëdhëniet greko-italiane para vitit 1940

Përpara pushtimit italian të Shqipërisë, Greqia dhe Italia kishin marrëdhënie konkurruese, shpeshherë edhe agresive ndaj njëra-tjetrës. Kjo konkurrencë përqendrohej kryesisht në rajonin e Mesdheut. Marrëdhëniet dypalëshe rëndoheshin edhe nga disa ngjarje historike që kishin lënë kujtime negative për Greqinë, ndër të cilat:

1. Mënyra e përcaktimit të kufijve greko-shqiptarë. Edhe pse kufijtë u përcaktuan gjatë viteve 1912–1913, ata u njohën nga Greqia vetëm në vitin 1926. Një nga shkaqet e kësaj vonese ishte përfshirja brenda territorit shqiptar e një pjese të konsiderueshme të minoritetit grek, për sa i përket origjinës dhe përkatësisë fetare.

2. Incidenti i Korfuzit në vitin 1923. Në këtë kontekst, reagimi i Musolinit pas vrasjes së Tellinit¹, duke urdhëruar bombardimin e ishullit të Korfuzit, do t’i përkeqësonte edhe më tej marrëdhëniet midis Italisë dhe Greqisë.

3. Sovraniteti italian mbi Dodekanezin. Një tjetër çështje ishte sovraniteti italian mbi grupin e Dymbëdhjetë Ishujve (Dodekanezin), me qendër ishullin e Rodosit, si dhe administrimi i keq i popullsisë vendase nga konti de Vecchi². Gjatë viteve të fundit, më shumë se 10.000 banorë ishin detyruar të largoheshin drejt Greqisë.

 

Pushtimi italian i Shqipërisë dhe reagimi në Greqi

Ngjarja kryesore që do të shënonte një etapë vendimtare në përgatitjet, e ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, të Italisë për të sulmuar Greqinë ishte pushtimi italian i Shqipërisë. Që nga ky moment, marrëdhëniet greko-italiane do të fillonin të përkeqësoheshin gradualisht. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, në prill të vitit 1939, u prit negativisht nga opinioni publik grek, pasi forcat italiane dhe politika ekspansioniste e Musolinit po afroheshin drejt kufijve tokësorë dhe detarë të Greqisë. Shqetësimi kryesor lidhej me mundësinë e shtrirjes së pushtimit italian edhe në Greqi, si dhe me hapjen e një fronti lufte në Mesdhe³. Përkundrazi, qëndrimi i kryeministrit grek të asaj kohe, diktatorit Ioannis Metaksas⁴, ishte i përmbajtur dhe pozitiv. Kështu, telegrami me numër 3085/468, i datës 3 maj 1939, i ambasadorit italian në Athinë, theksonte se “pas pushtimit të Shqipërisë, reagimi i opinionit publik grek ishte armiqësor, ndërsa qëndrimi i institucioneve dhe kryesisht i qeverisë greke nuk ishte i tillë, por përkundrazi miqësor”. Edhe pse Shtabi i Përgjithshëm grek e kishte këshilluar kryeministrin Metaksas të merrte masa parandaluese menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai preferoi të ruante qetësinë⁵. Ajo që shqetësonte autoritetet greke, kryesisht gjeneralin Aleksandër Papagos, ishte fakti se, megjithëse pushtimi i Shqipërisë nga Italia kishte zgjatur rreth 24 orë, pa ndonjë rezistencë të dukshme, në Shqipëri vazhdonin të dërgoheshin forca të shumta italiane, të përqendruara kryesisht në pjesën jugore të vendit dhe përgjatë kufirit me Greqinë. Banorët grekë pranë kufirit me Shqipërinë ishin të shqetësuar nga përqendrimi i forcave italiane në zonat e Korçës dhe Gjirokastrës⁶. E pyetur nga ambasadori Grazzi, Ministria e Jashtme italiane u përgjigj më 8 maj 1939 se “lëvizjet e forcave tona ushtarake nuk kanë qëllime armiqësore ndaj askujt dhe, rrjedhimisht, as ndaj Greqisë”.

 

Ardhja e ambasadorit italian

Emanuele Grazzi u emërua ambasador i Italisë në Greqi pak ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë. Përpara mbërritjes së tij, Grazzi dërgoi dy telegrame në Greqi. I pari kishte të bënte me vlerësimin e rolit të Greqisë në menaxhimin e largimit të mbretit shqiptar Zog I, të cilin autoritetet greke e kishin pritur dhe më pas ishin kujdesur për ta përcjellë drejt një vendi tjetër. Ndërsa telegrami i dytë vinte në dukje nevojën për ruajtjen e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve, në kushtet e realitetit të ri të krijuar në Shqipëri, i cili tashmë e kishte shndërruar Italinë në një vend ballkanik. Pas mbërritjes së tij dhe njohjes me institucionet greke, ambasadori Grazzi e përshkruan diplomacinë greke si të mirëorganizuar, në dallim nga diplomacia italiane, e cila, megjithëse kishte në radhët e saj shumë punonjës të aftë, paraqiste mangësi në organizim.

 

Rëndësia e informacionit

Në lidhje me luftën italo-greke, Grazzi ua atribuon përgjegjësinë kryesore për vendimmarrjen e gabuar protagonistëve të regjimit fashist italian, veçanërisht Benito Musolinit dhe Galeazzo Cianos, si dhe burimeve të informacionit të pasaktë që vinin nga drejtuesit italianë në Shqipëri, ndër të cilët Francesco Jacomoni, Visconti Prasca, Alfredo Guzzoni, Ubaldo Soddu dhe Carlo Geloso. Dy qendrat kryesore të informimit, të cilat konkurronin me njëra-tjetrën, ishin Ambasada italiane në Athinë, e drejtuar nga vetë autori i librit, Emanuele Grazzi, dhe qendra e drejtuesve italianë në Tiranë. Ambasada në Athinë përfaqësonte kanalin zyrtar diplomatik, i cili e furnizonte qendrën vendimmarrëse në Romë me informacion racional dhe të argumentuar. Ndërkohë, qendra ushtarake në Tiranë e informonte Romën në mënyrë subjektive dhe të nxituar. Kështu, për shembull, Jacomoni e informonte Romën se “opinioni publik grek është indiferent” dhe se “morali i popullit grek është i lënduar”. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm italian, Galeazzo Ciano, e interpretonte dhe e përcillte informacionin sipas mënyrës së tij, duke theksuar se “ekziston një ndarje e dallueshme midis popullsisë dhe klasës politike të kapitalit” dhe se “kjo e dyta, e vogël në numër, por që disponon kapital të madh, është ajo që frymëzon qëndresën, ndërsa populli i thjeshtë mbetet indiferent ndaj çdo ngjarjeje të mundshme, duke përfshirë këtu edhe një sulm nga ana jonë”.

 

Aspekti politik i përgatitjeve: Lufta italo-greke dhe “Shqipëria e Madhe”

Retorika për “Shqipërinë e Madhe” ishte pjesë e rëndësishme e kuadrit strategjik dhe ideologjik të sulmit italian kundër Greqisë. Kjo retorikë, të cilën Galeazzo Ciano e konsideronte si krijim të tij, përbënte një nga ambiciet kryesore të ministrit të Jashtëm italian, i cili synonte gjithashtu të bëhej pasardhësi i Musolinit. Nga ana tjetër, përpjekjet e Jacomonit për të ndjekur linjën politike të ministrit Ciano mund të lidheshin me synimin për të siguruar mbështetjen e një grupi intelektualësh shqiptarë, me qëllim kufizimin, deri në njëfarë mase, të pakënaqësisë që regjimi fashist kishte ngjallur te pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare. Jacomoni e informonte Romën se shqiptarët mezi prisnin një luftë kundër Greqisë dhe se ishin shumë entuziastë për këtë perspektivë, duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë në radhët e forcave ushtarake. Ai shkonte deri aty sa Musolini, në një rast, të shprehej se “duhet të kihet kujdes që forcat shqiptare të mos kenë kontributin kryesor, me qëllim që të mos krijohet përshtypja se Epiri u mor nga ata”. Një tjetër aspekt që trajton Emanuele Grazzi është dimensioni financiar i përgatitjeve ushtarake dhe propagandistike, të cilat synonin edhe korruptimin e politikanëve dhe ushtarakëve grekë. Sipas tij, kjo detyrë iu besua njerëzve të papërshtatshëm, të cilët, në bashkëpunim me Romën, e mbajtën jashtë procesit institucionin zyrtar të Ambasadës italiane në Athinë. Për rrjedhojë, fondet nuk u përdorën sipas mënyrës së parashikuar për realizimin e objektivave të vendosura, por u orientuan drejt kanaleve të dyshimta. Në këtë kontekst, ardhja në Athinë, gjatë muajve gusht dhe shtator 1940, e një prej drejtuesve të Partisë Fashiste Shqiptare, të cilin autori e përshkruan si shqiptar të besimit mysliman, ndodhi pa dijeninë e Ambasadës italiane, të cilën ky person nuk e vizitoi asnjëherë. Sipas autorit, ky fenomen, përveçse dëshmonte dështimin e planeve të dobëta italiane, mund të ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera për të rritur mbështetjen e banorëve të Çamërisë. Në lidhje me këta të fundit, Jacomoni shprehej se “kur ushtarët tanë të kalojnë kufijtë e Epirit, do të mbulohen nga lulet”. Incidenti i Daut Hoxhës përbënte kulmin e një sërë incidentesh të vazhdueshme që kishin acaruar marrëdhëniet italo-greke. Autori e përshkruan këtë incident si një ngjarje të zakonshme, ku “një çoban analfabet, për të cilin më vonë u mësua se ishte hajdut, ishte larguar disa vite më parë nga Çamëria dhe ishte vrarë në territorin shqiptar nga dy shqiptarë”. Më 11 gusht 1940, agjencia “Tomorri”, e italianëve në Shqipëri, deklaroi se personi ishte vrarë nga individë të paguar nga shteti grek, duke e shndërruar atë në një figurë të nacionalizmit shqiptar⁷. Nga ana tjetër, tërheq vëmendjen biseda telefonike e ministrit të Jashtëm italian, Ciano, me ambasadorin Grazzi në Athinë. Pasi ambasadori e kishte informuar për qëndrimet proangleze të mbretit grek George II, në dallim nga ato të vëllait të tij, Pavlos, i cili ishte më dashamirës ndaj fuqive të Boshtit, Ciano nuk ngurroi ta pyeste Grazzin: “A nuk është e mundur të gjendet një shqiptar që ta heqë qafe mbretin?”

 

Aspekti ushtarak

Në aspektin ushtarak, Grazzi vë në dukje numrin e kufizuar të forcave italiane të dislokuara në Shqipëri, të cilat do të ndërmerrnin sulmin kundër Greqisë, duke e konsideruar këtë si një nga shkaqet kryesore të dështimit italian. Në tetor të vitit 1940, forcat greke numëronin 16 divizione plotësisht të mobilizuara, nga të cilat 10 ishin të përqendruara në kufirin greko-shqiptar. Gjithashtu, rreth 300.000 grekë ishin mobilizuar në forcat e armatosura. Megjithëse më parë Italia nuk kishte shprehur synime për të sulmuar Greqinë⁸, në korrik të vitit 1940, gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm italian i deklaroi komandantit Carlo Geloso⁹ se duhej të fillonin përgatitjet për sulmin kundër Greqisë. Ndërkohë, më 15 tetor 1940, në Pallatin Venecia në Romë, angazhimi për të sulmuar Greqinë u shoqërua me një optimizëm të theksuar se operacioni ushtarak do të përfundonte brenda një kohe shumë të shkurtër. Nga pikëpamja strategjike dhe ushtarake, si datë e fillimit të sulmit kundër Greqisë ishte zgjedhur 26 tetori 1940, dita e Shën Dhimitrit dhe festa e qytetit të Selanikut, në përputhje me logjikën e befasisë që synohej të zbatohej gjatë operacionit. Një logjikë e ngjashme ishte përdorur edhe një vit më parë, gjatë sulmit italian kundër Shqipërisë, i cili përkoi me periudhën e festimeve të Pashkës¹⁰. Shtyrja me dy ditë e sulmit italian kundër Greqisë, nga data e planifikuar 26 tetor në 28 tetor 1940, u përdor nga udhëheqja fashiste si një nga argumentet kryesore për të shpjeguar dështimin e operacionit ushtarak. Sipas ambasadorit Grazzi, nuk kishte pasur përgatitje të mjaftueshme, as në aspektin politik dhe as në atë ushtarak. Për ta ilustruar këtë, ai i referohet një bisede të zhvilluar më vonë në Romë, në vitin 1941, me një shqiptar të njohur në qarqet politike, i cili, duke iu referuar papërgatitjes italiane, i kishte thënë se “as një fëmijë i vogël nuk do të kishte vepruar kështu” (un enfant n’aurait pas fait cela). Në përfundim, Grazzi shkruan se “nënvlerësimi i kundërshtarit, si dhe mbivlerësimi i popujve të tjerë, ishin të pranishëm te pala italiane”.

 

Shënime:

1. Enrico Tellini (1871–1923). Anëtar i komisionit ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit greko-shqiptar. Vrasja e tij dhe e katër anëtarëve të tjerë të delegacionit, e njohur si “Incidenti Tellini”, solli si pasojë pushtimin e ishullit të Korfuzit nga Italia, nga 31 gushti deri më 27 shtator 1923.

2. Cesare Maria de Vecchi (1884-1959).

3. Duhet theksuar se hapësira detare ka qenë historikisht një pikë nevralgjike për Greqinë. Vendi ishte pothuajse tërësisht i varur nga deti dhe, rrjedhimisht, edhe nga fuqia e madhe që mbizotëronte hapësirat detare. Në këtë kontekst mund të shpjegohet edhe qëndrimi pasiv i Greqisë për t’i parashtruar Britanisë së Madhe kërkesat e saj kombëtare lidhur me Qipron.

4. Ioannis Metaksas ishte drejtues i një partie të vogël politike greke dhe u emërua kryeministër i Greqisë nga mbreti George II në prill të vitit 1936. Disa muaj më vonë, ai pezulloi punimet e Parlamentit, duke e zëvendësuar atë me një komision prej 40 anëtarësh. Më 4 gusht 1936, vendosi një regjim diktatorial, me mbështetjen e mbretit, duke marrë njëkohësisht drejtimin e ministrive të Punëve të Jashtme, të Ushtrisë, të Aviacionit, të Marinës, të Ekonomisë dhe të Arsimit.

5. Përveç kujdesit që tregonte për të shmangur një reagim të nxituar ndaj Italisë, kryeministri grek Ioanis Metaksas karakterizohej edhe nga një simpati e veçantë si për Italinë, vend ku kishte kaluar vitet e internimit, ashtu edhe për regjimin fashist italian, i cili ishte ideologjikisht shumë më i afërt me regjimin e tij diktatorial sesa demokracia britanike.

6. Ambasadori grek në Tiranë, P. Skeferis, shkruante më 12 prill 1939 se “në qarqet ushtarake italiane flitet për një lëvizje drejt Kosovës dhe Çamërisë, e cila pritet të ndodhë më 23 të këtij muaji”.

7. Lidhur me këtë incident, Galeazzo Ciano shkruante në ditarin e tij se e kishte diskutuar çështjen edhe me Musolinin, duke i vënë në dukje tensionet e krijuara në kufirin greko-shqiptar, si dhe qëndrimin negativ të palës greke. Nga ana e tij, Musolini po shqyrtonte mundësinë e përdorimit të forcës, pasi konsideronte se kishte llogari të hapura me Greqinë që prej vitit 1923.

8. Gjatë vizitës së tij në Romë, më 11 shtator 1939, ambasadori Grazzi u takua me Benito Musolinin në Pallatin Venecia, ku ky i fundit nënshkroi një deklaratë, të cilën e kishte diktuar vetë dhe që ishte shkruar me dorën e Grazzit. Në këtë deklaratë, Musolini shprehte angazhimin e tij për të mos sulmuar Greqinë.

9. Carlo Geloso u zëvendësua nga Visconti Prasca, pasi i kishte shprehur ministrit të Jashtëm italian, Galeazzo Ciano, mendimin se forcat ushtarake nën komandën e tij ishin të pamjaftueshme për të ndërmarrë një sulm të tillë kundër Greqisë.

10. Gjatë një bisede me princeshën Eleni Vladimirovna, kjo e fundit e pyeti ambasadorin Grazzi: “Pse qeveria juaj zgjodhi ditën e së Premtes së Madhe për të sulmuar Shqipërinë?” Grazzi iu përgjigj se kjo mund të lidhej me faktin që sulmi nuk duhej shtyrë më tej. Atëherë, princesha iu drejtua me fjalët: “Do ta shihni se qeveria juaj do të pendohet për këtë” (Vous verrez que votre Gouvernement le regrettera).

 

Korçë, 28 tetor 2026
(Rikthim te një studim i imi i përgatitur më 24 nëntor 2008, në Athinë, Greqi)