NJË VIT KONFLIKTESH DHE NJË AMERIKË QË PO NDRYSHON 

Jordan Jorgji

29 dhjetor 2025: Presidenti amerikan Donald Trump priti në rezidencën e tij në Mar-a-Lago kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Një ditë më parë, në Iran kishin shpërthyer protesta kundër regjimit teokratik të klerikëve shiitë, ndërsa në të gdhirën e 3 janarit 2026, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një operacion në Venezuelë, i cili u interpretua gjerësisht si sinjal i një faze të re të ndërhyrjes amerikane në Hemisferën Perëndimore. Në ditët që pasuan, presidenti Trump kërcënoi publikisht disa liderë të Amerikës Latine, veçanërisht ata të Kolumbisë dhe Meksikës, ndërsa shprehu hapur synimin për të zgjeruar kontrollin amerikan mbi Groenlandën.

Pyetja që lind natyrshëm nga kjo tablo komplekse, me të cilën nisi papritur viti 2026, nuk është vetëm se cili mund të jetë objektivi i ardhshëm i politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane, por edhe se çfarë tregojnë këto zhvillime për mënyrën se si po riformësohet rendi ndërkombëtar në këtë vit të ri.

Objektivi tjetër: Kuba, Kolumbia apo Irani?

Në dritën e zhvillimeve të fundit, të gjithë këta skenarë duken të mundshëm brenda logjikës së politikës së jashtme të presidentit Trump, e artikuluar si në retorikën e tij politike, ashtu edhe në strategjinë e re të sigurisë kombëtare (National Security Strategy of the United States of America) të miratuar në nëntor 2025. Në rastin e Kubës, administrata amerikane duket se po mbështetet në pritshmërinë e një kolapsi gradual të regjimit, pa qenë e nevojshme një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake, veçanërisht pas ndërprerjes së varësisë energjetike nga nafta venezueliane pas 3 janarit.

Ndërkohë, për vendet e Amerikës Latine që kanë manifestuar marrëdhënie të trazuara me Uashingtonin, kryesisht Kolumbinë dhe Meksikën, presioni amerikan pritet të marrë formën e kërkesave politike dhe të sigurisë, të cilat lidershipet përkatëse do të duhet t’i peshojnë me kujdes, veçanërisht për sa kohë veprimet e presidentit amerikan nuk kufizohen ndjeshëm nga legjislativi dhe zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit 2026.

Rasti i Iranit përfaqëson një shkallë tjetër rreziku. Sinjalet politike që pasuan takimin Trump–Netanyahu mund të interpretohen si tregues të një gatishmërie për veprime ushtarake, me synimin e dobësimit ose ndryshimit të regjimit iranian drejt një modeli më të pranueshëm për interesat e SHBA-së dhe Izraelit. Ky skenar duket edhe më i besueshëm në kontekstin e protestave të përgjakshme që janë duke vazhduar në Iran, ku një ndërhyrje e shpejtë ushtarake mund t’i rikthejë veprimit potencial amerikan ngarkesën liberale të demokratizimit nga jashtë, që mungoi qartazi në rastin e Venezuelës. Megjithatë, një përshkallëzim në Iran mbart rrezikun e zgjerimit rajonal të konfliktit, me përfshirjen e aktorëve të tjerë, si Turqia, apo edhe me skenarë ekstremë që lidhen me përdorimin e armëve bërthamore, nëse Izraeli do të ndjehej i vënë me shpatulla pas murit.

Në një prizëm të tillë aspak optimist për vitin 2026, versioni trampist i Doktrinës Monroe të vitit 1823, i riformuluar përmes logjikës së kontrollit të aseteve strategjike dhe sferave të influencës, jo vetëm që thellon ndarjen e botës në zona ndikimi, por hap edhe perspektivën e një përplasjeje të ardhshme me Kinën, në një sistem ndërkombëtar që po finalizon tranzicionin e tij drejt rendit multipolar.

Përditësimi Trump i Doktrinës Monroe dhe bota që po ndryshon

Doktrina Monroe e vitit 1823 parashikonte mosndërhyrjen reciproke të Shteteve të Bashkuara dhe fuqive evropiane në zonat e tyre përkatëse të influencës. Përditësimi (Corollary) i saj nga presidenti Theodore Roosevelt legjitimonte rolin policor të SHBA-së në Hemisferën Perëndimore, si shprehje e interesave kombëtare amerikane. Strategjia e sigurisë kombëtare e miratuar gjatë presidencës Trump e shtyn këtë doktrinë në një fazë të re, duke e orientuar drejt përvetësimit ose kontrollit të aseteve strategjike, si nafta në rastin e Venezuelës apo burime të tjera kritike në Groenlandë. Ndërhyrjet ndaj regjimeve që nuk sigurojnë bashkëpunim me Uashingtonin përbëjnë thelbin e variantit trampist të Doktrinës Monroe.

Në këtë kuadër, tre janë tiparet kryesore të botës që po ndryshon, nën ritmin e përshpejtuar të këtyre prirjeve strukturore. Së pari, ligji ndërkombëtar dhe diplomacia shumëpalëshe (multilaterale) po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nga vetë superfuqitë, çka u reflektua qartë në precedentët e fundit të ndërhyrjes amerikane. Retorika e hapur e administratës Trump, e cila vendos interesin kombëtar mbi detyrimet normative ndërkombëtare, sinjalizon një largim nga universalizmi liberal që ka karakterizuar rendin euro-atlantik pas Luftës së Ftohtë. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e demokracisë liberale, por një krizë të thellë të legjitimitetit dhe funksionalitetit të saj në nivel global, dhe prek më së shumti vendet e vogla.

Një pasojë tjetër e këtij transformimi është preferenca në rritje për ndërhyrje të shpejta ushtarake, në vend të angazhimeve shumëvjeçare të tipit nation-building. Ndryshe nga ndërhyrjet e pas Luftës së Ftohtë, të cilat shoqëroheshin me projekte afatgjata të rindërtimit institucional dhe shoqëror (Irak dhe Afganistan), administrata Trump duket se privilegjon operacione të kufizuara në kohë, me objektiva të qarta strategjike dhe kosto të ulët politike. Ky model veprimi u pa jo vetëm në Venezuelë, por edhe në bombardimet që SHBA-ja e presidencës Trump kreu gjatë vitit 2025 në Iran, Jemen dhe Nigeri. Në këtë logjikë, stabilizimi afatgjatë i vendeve të ndërhyrjes nuk përbën më prioritet parësor, por është demonstrimi i fuqisë dhe neutralizimi i kërcënimeve ato që marrin përparësi në politikën e jashtme amerikane.

Së dyti, dobësimi i ligjit ndërkombëtar shoqërohet me forcimin e sferave të influencës. SHBA-të po rivendikojnë rolin e tyre hegjemonik në Hemisferën Perëndimore, në një paralelizëm domethënës me Rusinë, e cila po vepron ushtarakisht në atë që e konsideron hapësirën e saj të sigurisë dhe influencës strategjike. Edhe Kina do të kërkojë zonën e vet të kontrollit në hapësirën e Detit të Kinës Jugore, përfshirë Tajvanin. Këtë e pranon tërthorazi Strategjia amerikane e sigurisë kombëtare, kur thekson se “Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë ndryshim të njëanshëm të status quo-së në Ngushticën e Tajvanit…Megjithatë, ushtria amerikane nuk mundet, dhe as nuk duhet, ta mbajë e vetme këtë barrë. Aleatët tanë duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojnë më shumë — dhe, më e rëndësishmja, të bëjnë realisht më shumë — për mbrojtjen kolektive”. Ky rikthim i logjikës së fuqisë sinjalizon një largim nga rendi liberal drejt një sistemi më të fragmentuar dhe konkurrues.

Së treti, precedentët e Venezuelës dhe Groenlandës mbartin pasoja potencialisht të rënda për NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike. Edhe pse skenarët e konfliktit brenda aleancës mbeten hipotetikë, ato nxjerrin në pah tensione strukturore që sfidojnë kohezionin e saj afatgjatë. Ato, gjithashtu, mund të çojnë në prirje për ndryshimin e kufijve nga shtete të tjera dhe vende anëtare të NATO-s, si Turqia në pellgun e Mesdheut.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian përballet me një dilemë të thellë strategjike, pasi dobësimit të tij ekonomik i shtohet pasiguria mbi garancitë tradicionale të sigurisë. Strategjia e re e sigurisë kombëtare në SHBA e ka shprehur hapur kundërshtinë e saj për Bashkimin Evropian në formën transnacionale që ka ky i fundit, duke bërë thirrje për rikthimin e sovranitetit të shteteve-kombe: “Problemet themelore që përballet Evropa përfshijnë veprimtarinë e Bashkimit Evropian dhe të organizmave të tjerë transnacionalë që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përçarje, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e ndjeshme të normave të lindshmërisë, si dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe të vetëbesimit shoqëror”. Për më shumë, zhvendosja graduale e qendrës së politikës ndërkombëtare nga Evropa drejt Azisë, e nxitur nga forcimi i Kinës dhe përqendrimi atje i rivalitetit mes superfuqive, shfaqet si një nga prirjet më të qëndrueshme të rendit të ri global, duke prekur drejtpërsërdrejt marrëdhëniet Evropë-SHBA.

Përfundim

Ngjarjet me të cilat nisi viti 2026 nuk përbëjnë thjesht episode të shkëputura, por sinjalizojnë konsolidimin e një prirjeje më të thellë në politikën ndërkombëtare. Rikthimi i logjikës së fuqisë, legjitimimi i sferave të influencës dhe relativizimi i normave liberale tregojnë se rendi i pas Luftës së Ftohtë po i afrohet kufijve të tij funksionalë. Në këtë kontekst, politika e jashtme amerikane nën presidencën Trump shfaqet jo si shkak i vetëm i këtij transformimi, por si katalizator i një ndryshimi që po merr formë prej vitesh. Kjo prirje reflektohet qartë edhe në Strategjinë amerikane të sigurisë kombëtare, e cila, në raport me Kinën, thekson nevojën për të “fituar të ardhmen ekonomike dhe për të parandaluar konfrontimin ushtarak” (“Win the Economic Future, Prevent Military Confrontation”).

Për Evropën, këto zhvillime përkthehen në një krizë të shumëfishtë – strategjike, identitare dhe të sigurisë. Për aktorët e tjerë globalë, veçanërisht Kinën, ky tranzicion hap hapësira të reja influence dhe rivaliteti, duke e shndërruar konkurrencën me Shtetet e Bashkuara në boshtin kryesor të politikës globale. Ndërkohë, për shtetet më të vogla, viti 2026 shënon hyrjen në një mjedis ndërkombëtar më të fragmentuar dhe më pak të parashikueshëm, ku orientimi strategjik dhe aftësia për të lexuar saktë raportet e fuqisë bëhen më vendimtare se kurrë.

Korçë, 11 janar 2026